Luca Toni (lindur më 26 maj 1977) është një ish futbollist profesionist italian i cili luante si sulmues. Toni ishte një sulmues i dalluar i cili shënoi mbi 300 gola në karrierën e tij, duke e bërë atë një nga pesë golashënuesit më të mirë italianë në histori. Ai konsiderohet si një nga sulmuesit më të mirë të gjeneratës së tij.[3]
Toni ka një karrierë të larmishme, duke luajtur me 13 klube në Itali. Ai gjithashtu pati një përvojë tre-vjeçare me Bayernin në Gjermani dhe një përvojë disa mujore në Emiratet e Bashkuara Arabe me Al Nasr. Pavarësisht se pati një nisje karriere të ngadaltë, duke ndryshuar disa klube, Toni filloi të dallohej në sezonin 2003–04, ku ai shënoi 30 gola me Palermon, duke e ndihmuar të ngjitej në Serie A; në sezonin e rradhës, ai shënoi 20 gola dhe ndihmoi ekipin të kualifikohej në kompeticionet evropiane. Pas dy sezoneve të një niveli të lartë te Fiorentina, Toni firmosi me Bayern München, duke fituar të tre titujt në Gjermani në sezonin e tij të parë, ku ai regjistroi 39 gola në të gjitha kompeticionet. Gjatë sezonit të tij të tretë, marrëdhënja e tij me trajnerin u prish dhe ai u dërgua te ekipi rezervë. Në janar 2010, Toni u huazua te Roma kurse në vitet e ardhshme luajti me ekipe si Genoa dhe Juventusi. Në vitin 2012, ai firmosi me Al Nasr përpara se të rikthehej te Fiorentina për sezonin 2012–13. Përvoja e tij e fundit në karrierë ishte qëndrimi tre-vjeçar te Verona, me të cilën shënoi 51 gola si dhe shërbeu si kapiten.
Toni e nisi karrierën e tij si futbollist me Officine Meccaniche Frignanesi, me të cilën luajti në sezonin 1990–91. Në moshën 13 vjeç, ai u bë pjesë e akademisë së Modenës që kishte si trajner brazilianin Chinesinho.[4] Toni bëri debutimin e tij me ekipin e parë më 19 mars 1995 në barazimin 1–1 kundër Alessandisë në Serie C1. Ai e mbylli sezonin 1994–95 me shtatë ndeshje dhe dy gola,[5] që erdhën në barazimin 2–2 kundër Fiorenzuolës. Toni mori pjesë gjithashtu në dy ndeshjet play-off kundër Masseses (0–2 në Modena dhe 2–2 në Massa, ku ai shënoi një nga golat), duke mos arritur të shmangte rënien nga kategoria, e cila megjithatë u anulua pas përjashtimit të Crevalcores. Në sezonin 1995–96, Toni e fitoi vendin si titullar në formacion dhe regjistroi 5 gola.
Në sezonin 1996–97, Toni u transferua te Empoli në Serie B.[6] Gjatë këtij sezoni, ai u aktivizua në vetëm tre ndeshje dhe shënoi një gol në barazimin 1–1 kundër Ravennës. Empoli arriti të ngjitej në Serie A me Luciano Spallettin si trajner.[7]
Pasi u la i lirë nga Empoli,[6] në verën e vitit 1997, Toni u rikthye në Serie C1 duke firmosur me Fiorenzuolën.[8] Gjatë sezonit të tij të vetëm në klub, Toni shënoi vetëm dy gola në 26 ndeshje dhe nuk u pa asnjëherë si titullar nga trajneri Alberto Cavasin. Pas përfundimit të një sezoni zhgënjyes, ai mendoi të tërheqjen nga futbolli në moshën 21 vjeç.[9]
Në vitin 1998, Toni u transferua te Lodigiani në Serie C1 në formulën e bashkëpronësisë.[10] Ai u kërkua nga drejtori sportiv Rinaldo Sagramola dhe shënoi 15 gola në 31 ndeshje në kampionat në sezonin 1998–99. Sezoni i tij pozitiv bëri që Empoli të blinte gjysmën tjetër të kartonit të tij për 600 milion lira.[11] Shpejt pas kësaj, Toni u shit te Treviso në Serie B dhe u dallua gjatë sezonit të tij të vetëm në klub, duke shënuar 15 gola në 35 ndeshje.
Paraqitjet e tij të mira në Serie B bënë që ai të transferohej te ekipi i sapongjitur në Serie A, Vicenza, me kërkesë të drejtorit sportiv Sagramola, i cili gjithashtu i ishte bashkuar Bardhekuqve.[12] Toni bëri debutimin e tij në elitën e futbollit italian më 1 tetor 2000 në moshën 23 vjeç në humbjen 2–0 kundër Milanit. Dy javë më pas, ai shënoi golin e parë në Serie A në humbjen 2–1 kundër Atalantës. Në sezonin e tij debutues në elitë, Toni regjistroi 9 gola në 31 ndeshje por nuk mundi të shmangte rënjen e ekipit një kategori më poshtë.
Në korrik 2001, Toni kaloi te Brescia për 30 miliard lira, duke u bërë transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit.[13][14] Me ekipin lombard, të drejtuar nga trajneri Carlo Mazzone, Toni u aktivizua në dy sezone, duke u dalluar në sezonin e parë me 13 gola. Megjithatë, sezoni i dytë u kushtëzua nga një dëmtim i gjatë dhe vetëm dy gola të shënuar. Gjatë qëndrimit të tij në klub, ai luajti me lojtarë si Roberto Baggio dhe Pep Guardiola, duke shënuar 15 gola në 44 ndeshje.[15]
Në korrik 2003, Toni, tashmë 26 vjeç, pranoi të firmoste me Palermon në Serie B, me kushtin që ekipi të luftonte për ngjitjen një elitë.[16] Gjatë sezonit 2003–04 ai shënoi 30 gola në 45 ndeshje, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit. Falë golave të tij, Palermo u rendit në vendin e parë me 83 pikë dhe u ngjit në Serie A për sezonin e ri.[17]
Toni vazhdoi të ishte protagonist edhe në sezonin e ardhshëm, duke shënuar 20 gola të cilët ishin vendimtar për Palermon që e mbylli kampionatin në vendin e 6të, duke u kualifikuar në Kupën UEFA.
Toni u transferua te Fiorentina në verën e vitit 2005 për 10 milion €.[18] Transferimi i tij shkaktoi polemika te tifozët e Palermos, të cilët e quajtën tradhëtar.[19] Ai bëri debutimin e tij me ekipin më 27 gusht në fitoren 2–1 kundër Sampdorias, duke shënuar me penallti.[20][21] Në janar 2006, ai u zgjodh si sportisti i vitit nga Telegatto.[22]
Toni e mbylli sezonin me 31 gola, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit.[23] Ai u bë lojtari i parë në Serie A pas 50 vitesh që shënote 30 ose më shumë gola në një sezon si dhe u bë lojtari i parë italian që fitoi çmimin Këpuca e Artë Evropiane.[24] Toni gjithashtu u bë lojtari me më shumë gola në një sezon i Fiorentinës, duke thyer rekordin e Kurt Hamrin dhe Gabriel Batistutës, të cilët të dy kishin shënuar nga 26 gola.[25]
Fiorentina e mbylli sezonin në vendin e katërt me 74 pikë,[23] por pas ngjarjeve të Calciopolit klubi u ndëshkua me heqjen e 30 pikëve.[26] Gjatë verës së vitit 2006, Toni shprehu dëshirën për t'u larguar nga klubi por në fund u bind të qëndronte nga presidenti Andrea Della Valle. Sezoni 2006–07 i Tonit u karakterizua nga problemet fizike,[27][28][29] por ai arriti të shënonte 16 gola në 29 ndeshje. Në përfundim të sezonit, ai u lejua të largohej pasi i premtoi presidentit Della Valle se nuk do të firmoste me asnjë klub rival në Itali.[30]
Më 30 maj 2007, presidenti i Bayern MünchenKarl-Heinz Rummenigge konfirmoi transferimin e Tonit për 11.58 milion €.[31] Në moshën 30 vjeç, sulmuesi u largua nga Italia për të provuar përvojën e parë jashtë shtetit. Ai firmosi një kontratë katër-vjeçare dhe u prezantua zyrtarisht më 7 qershor sëbashku me francezin Franck Ribéry, duke marrë fanellën me numrin 9 për sezonin e ri.[32]
Toni bëri debutimin e tij në Bundesligë më 11 gusht në fitoren 3–0 kundër Hansa Rostock, duke shënuar në minutën e 13të.[33] Më 20 shtator, ai luajti ndeshjen e parë në Kupën UEFA kundër ekipit portugez Belenenses, duke shënuar golin e vetëm të takimit.[34] Ai gjithashtu shënoi edhe në ndeshjen e kthimit duke ndihmuar ekipin të kualifikohet në fazën e grupeve. Në ndeshjen e fundit në grupin F kundër Aris, Toni shënoi katër gola në fitoren tenistike 6–0 në Allianz Arena, me Bayernin që fitoi grupin.[35][36]
Më 17 shkurt 2008, Toni shënoi një "tregolësh të përkryer" (gol me kokë, këmbën e majtë dhe të djathtë) në ndeshjen kundër Hannover 96, duke u bërë lojtari i parë i Bayernit që nga Hans Dorfner në vitin 1989 që e arrin këtë gjë.[37] Pas kësaj, ai rezultoi vendimtar në ndeshjen e dytë çerek-finale të Kupës UEFA kundër Getafes; ai shënoi dy gola në minutat 115të dhe 120të të kohës shtesë, duke ndihmuar Bayernin të barazonte ndeshjen 3–3; ky rezultat i lejoi ekipit gjerman të kualifikohej në gjysëm-finale me rregullin e golit jashtë fushe.[38]
Toni në aksion me Bayernin gjatë një ndeshje kundër Dortmundit në Signal Iduna Park, 23 gusht 2008.
Më 19 prill, Toni shënoi dy gola në fitoren 2–1 kundër Borussia Dortmundit në finalen e Kupës së Gjermanisë, duke fituar trofeun e parë me klubin.[39] Ai u komplimentua nga trajneri Ottmar Hitzfeld, i cili pas ndeshjes deklaroi: "Një kafshë goli i cili nuk ka dëshirë kurrë të pushojë".[40] Në gjysëm-finalen e Kupës UEFA, Bayerni u eliminua nga Zenit Saint Petersburg; Toni e mbylli kompeticionit si golashënuesi më i mirë me 10 gola sëbashku me Pavel Pogrebnyak.[41] Në Bundesligë, ekipi u shpall kampion më 4 maj pas barazimit pa gola kundër Wolfsburgut;[42] ai u shpall golashënuesi më i mirë me 24 gola.[43] Gjithsej, ai shënoi 39 gola dhe 12 asiste në 46 ndeshje, duke regjistruar sezonin më të mirë në karrierë.
Toni vazhdoi të shënonte me rregullsi në sezonin 2008–09, veçanërisht në pjesën e parë, ku ai shënoi në shtatë ndeshje rresht. Në shkurt 2009, ai pësoi një dëmtim në tendinën e akilit, duke humbur disa ndeshje. Ai gjithsesi arriti të shënonte 14 gola në 25 ndeshje në kampionat, duke u shpallur sërisht golashënuesi më i mirë i ekipit. Problemet me tendinën e akilit u rikthyen sërisht, duke bërë që ai të humbiste të gjithë fazën përgatitore në verën e vitit 2009. Toni u rikthye në stërvitje në shtator dhe u aktivizua në dy ndeshje me ekipin rezervë.[44][45] Më 7 nëntor, ai u gjobit nga klubi pasi iku nga stadiumi pasi u zëvëndësua në pjesën e parë gjatë një ndeshje në kampionat.[46] Kjo solli edhe prishjen e marrëdhënjes së tij me trajnerin Louis van Gaal. Pas këtyre ngjarjeve, presidenti Uli Hoeneß deklaroi se Toni do të lejohej të largohej nga klubi si lojtar i lirë.
Më 31 dhjetor 2009, Toni u huazua te klubi italian Roma deri në përfundim të sezonit. Kryeqytetasit i ofruan një rrogë rreth 3 milion € pa përfshirë bonuset.[47][48] Ai bëri debutimin e tij më 6 janar 2010 në ndeshjen e kampionatit kundër Cagliarit, duke zëvëndësuar Mirko Vučinić në minutat e fundit. Njëmbëdhjetë ditë më pas, ai shënoi dy golat e para me klubin në ndeshjen kundër Genoas.[49] Toni shënoi gjithsej 5 gola me Romën, përfshirë golin vendimtar në fitoren 2–1 kundër Interit në Stadio Olimpico, duke ngushtuar avantazhin e Zikaltërve në vendin e parë me vetëm një pikë. Në maj 2010, Toni luajti në finalen e Kupës së Italisë kundër Interit, të cilën Roma e humbi 1–0.[50]
Pas përfundimit të sezonit, Toni u rikthye te Bayerni dhe më 16 qershor ndërpreu kontratën e tij me klubin gjerman, duke u bërë lojtar i lirë.[51][52]
Pas largimit nga Bayerni, Toni firmosi një kontratë dy-vjeçare me Genoan me një rrogë rreth 4 milion € në sezon,[53][54] duke u bërë lojtari më i paguar në historinë e klubit.[55] Ai u prezantua zyrtarisht më 1 korrik dhe mori fanellën me numrin 9 për sezonin e ri.[56]
Toni shënoi golin e parë me klubin më 19 shtator 2010 nga pika e penalltisë në ndeshjen e javës së 3të të kampionatit kundër Parmës. Më 20 tetor, ai shënoi një dopietë kundër Grossetos në raundin e tretë të kupës si dhe një tjetër dopietë më 24 nëntor në fitoren 3–1 kundër Vicenzës në raundin e katërt.
Periudha e Tonit te Genoa u kritikua nga tifozët e klubit si dhe nga vetë presidenti Enrico Preziosi. Ky i fundit, në një intervistë në fund të vitit, deklaroi: "Një notë për Tonin? 3, si numri i golave që ka shënuar në kampionat."[57]
Më 7 janar 2011, Toni u transferua te Juventusi duke firmosur një kontratë deri në qershor 2012.[58][59][60] Ai debutoi me ekipin dy ditë më vonë, duke luajti si titullar në humbjen 3–0 kundër Napolit.[61] Më 5 shkurt, Toni shënoi golin e 100të në Serie A si dhe të parin e tij si lojtar i Juventusit në fitoren 3–1 kundër Cagliarit.[62] Ai e mbylli pjesën e dytë të sezonit 2010–11 me vetëm 2 gola në 14 ndeshje në kampionat.
Në sezonin e rradhës, Toni u la jashtë planeve të trajnerit të ri Antonio Conte,[63] me të cilin Juventusi do të fitonte kampionatin. Megjithatë, ai shënoi golin e parë në ndeshjen përuruese të Juventus Stadium kundër Notts County më 8 shtator 2011.[64]
Më 30 janar 2012, Toni u transferua te klubi emirat Al-Nasr, duke provuar përvojën e tij të dytë jashtë Italisë.[65] Ai shënoi golin e fitores në debutimin e tij në Ligën Pro të Emirateve të Bashkuara Arabe kundër Ajman Club.[66] Më 7 mars, Toni gjithashtu debutoi me gol në AFC Ligën e Kampionëve në fitoren minimale 1–0 në transfertë kundër ekipit iranian Sepahan.[67] Pas përfundimit të sezonit, Toni ra dakord me klubin për ndërprerjen e kontratës;[68][69] ai shënoi 5 gola në 13 ndeshje gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Dubai.
Më 31 gusht 2012, në ditën e fundit të merkatos verore, Toni bëri një rikthim te Fiorentina në moshën 35 vjeç, duke firmosur një kontratë një-vjeçare.[70] Kjo solli edhe rikthimin e tij në Firence pas pesë vitesh.[71] Toni luajti ndeshjen e parë pas rikthimit më 16 shtator kundër Catanias, duke u aktivizuar si zëvëndësues në minutën e 64të; ai shënoi golin e dytë të ndeshjes me prekjen e parë të topit vetëm 87 sekonda më vonë.[72] Toni e mbylli sezonin 2012–13 me 8 gola në 27 ndeshje.
Më 5 korrik 2013, Toni firmosi një kontratë një-vjeçare me klubin e sapongjitur në Serie A, Verona, duke vazhduar qëndrimin e tij në elitë në moshën 36 vjeçare.[73] Toni ishte protagonist kryesor në debutimin e tij me ekipin, duke shënuar një dygolësh kundër Milanit në San Siro në javën hapëse të kampionatit.[74] Ai vazhdoi me formën pozitive në fillimin e sezonit, duke shënuar dhe asistuar në disa ndeshje,[75] gjë që bëri që tifozët të kërkonin rikthimin e tij në ekipin kombëtar.[76] Toni e mbylli sezonin 2013–14 me 20 gola në kampionat, duke thyer rekordin e Gianni Bui dhe Domenico Penzo (të dy me 15 gola) për numrin e golave të shënuar në një sezon të Serie A me Veronën.[77][78]
Toni vazhdoi me formën e mirë sportive edhe në sezonin 2014–15: më 14 dhjetor 2014, ai shënoi golin e 300të në karrierë në fitoren 2–1 kundër Udineses.[79] Më 26 prill 2015, ai shënoi dy gola në ndeshjen kundër Sassuolos, duke u bërë golashënuesi më i mirë i Veronës në Serie A; ai theu rekordin e Emiliano Mascettit, i cili kishte shënuar 35 gola nga viti 1968 deri në 1979.[80] Toni e mbylli kampionatin me 22 gola të shënuar në 38 ndeshje, po aq sa Mauro Icardi, duke fituar të dy çmimin Capocannoniere.[81][82] Ai kaloi Dario Hübner si golashënuesi më i vjetër i kampionatit[83][84] si dhe u bë lojtari i parë në historinë e Veronës që e fiton këtë çmim. Për më tepër, ai u bë italiani i parë që shpallet golashënuesi më i mirë me dy klube të ndryshme (Fiorentina dhe Verona) si dhe lojtari i dytë pas Zlatan Ibrahimović (Inter dhe Milan).[85]
Sezoni i tretë i Tonit me Veronën ishte më pak i suksesshëm për shkak të dëmtimeve si dhe marrëdhënjes së prishur me trajnerin Luigi Delneri.[86][87] Kjo bëri që ai të luante vetëm 23 ndeshje, gjatë së cilave shënoi 6 gola. Rënja e Veronës nga kategoria u konfirmua më 4 maj 2016, ditë në të cilën Toni njoftoi tërheqjen nga futbolli.[88] Ai luajti ndeshjen e fundit të karrierës katër ditë më vonë në fitoren 2–1 kundër Juventusit,[89] duke shënuar me penallti, në moshën 39 vjeçare, golin e tij të 157të në Serie A.[90] Toni e mbylli aventurën e tij me Veronën me 51 gola në 100 ndeshje në kampionat dhe kupë.
Paraqitjet e dalluara të Tonit me Palermon bënë që në gusht 2004 të merrte ftesën e parë në kombëtaren italiane nga trajneri Marcello Lippi.[91] Ai bëri debutimin e tij më 18 gusht duke u aktivizuar si zëvëndësues në pjesën e dytë në humbjen 2–0 në miqësoren kundër Islandës në Rejkjavik.[92] Më 4 shtator, Toni shënoi golin e parë ndërkombëtar në fitoren 2–1 kundër Norvegjisë në kualifikueset e FIFA Kupës së Botës 2006.[93]
Toni në finalen e Kupës së Botës 2006.
Më 7 shtator 2005, Toni shënoi një tregolësh në fitoren 4–1 kundër Bjellorusisë, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Fiorentinës që shënote tre gola në një ndeshje me ekipin kombëtar.[94][95] Ai ishte një nga 23 lojtarët e thirrur për Botërorin që do të luheshe në Gjermani;[96] ai shënoi dy gola në ndeshjen çerek-finale kundër Ukrainës.[97] Në finalen kundër Francës, ai goditi shtyllën me një gjuajtje me kokë si dhe pati një gol të anulluar për pozicion jashtë loje, me Italinë që fitoi me rezultatin 5–3 me penallti për t'u shpallur kampion bote për herë të katërt në histori.[98] Toni ishte golashënuesi më i mirë i ekipit sëbashku me mbrojtësin Marco Materazzi.[99] Gjatë këtij edicioni, Toni ishte lojtari me më shumë faulla të pësuar, plot 28.[100]
Toni shënoi pesë gola në kualifikueset e UEFA Euro 2008 si dhe u thirr nga trajneri Roberto Donadoni në listën me 23 lojtarë që do të luanin në turnament.[101][102] Ai nuk arriti të shënonte asnjë gol; në ndeshjen e grupit kundër Rumanisë, goli i tij u anullua për pozicion jashtë loje, një vendim që shkaktoi polemika.[103] Në ndeshjen e tretë të grupit kundër Francës, ai fitoi një penallti që u shënua nga Andrea Pirlo që i hapi rrugën fitores 2–0 dhe kualifikimit në çerek-finale.[104] Në ndeshjen çerek-finale kundër Spanjës, Italia u mposht me penallti pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazimin pa gola.[105]
Pas përfundimit të Euro 2008, Toni vazhdoi të ishte pjesë e ekipit kombëtar për fushatën kualifikuese të Kupës së Botës 2010, duke u thirrur për dy ndeshjet e para nga i rikthyeri Marcelo Lippi.[106] Më 18 nëntor 2008, ai shënoi golin e barazimit në miqësoren kundër Greqisë, e cila ishte goli i tij i 16të dhe i fundit me ekipin kombëtar.[107] Në qershor 2009, Toni luajti në FIFA Kupën e Konfederatave në Afrikën e Jugut,[108] duke u aktivizuar në të tre ndeshjet e fazës së grupeve, me Italinë që u eliminua.[109] Pas përfundimit të turnamentit, Toni nuk u thirr më në ekipin kombëtar si dhe nuk ishte pjesë e listës paraprake për Kupën e Botës 2010.[110][111][112]
Forma pozitive e Tonit gjatë sezonit 2013–14 me Veronën bëri që ai të ishte një zgjidhje popullore nga tifozët për ekipin që do të luante në Kupën e Botës 2014 në Brazil.[113] Megjithatë, ai nuk u zgjodh në listën paraprake nga trajneri Cesare Prandelli.[114][115] Gjithsej, Toni regjistroi 46 ndeshje dhe 17 gola me ekipin kombëtar.[116]
Luca Toni dhe Miroslav Klose para fillimit të një ndeshje kundër Hertha BSC, 14 shkurt 2009.
Toni ishte një qëndër-sulmues tradicional,[117] i cili shquhej për luftën në ajër dhe akrobacitë;[118] në fillimet e karrierës ai ishte një sulmues i shkathët dhe shpejtë, i cili bënte inkursione sulmuese dhe krijonte hapsira për shokët e ekipit. Megjithatë, me vazhdimin e karrierës, Toni filloi të qëndronte brënda zonës, kjo për shkak të humbjes së shpejtësisë, duke bërë që kontributi i tij në lojën pa top të binte.[119][120]
Toni ishte një lojtar këmbë-djathtë, i cili mund të gjuante edhe me të majtën.[119][120] Ai ishte një gjuajtës i saktë i penalltive.[121] Toni konsiderohej si një "gjahtar goli", i cili shfrytëzonte çdo mundësi për të shënuar gol. Pavarësisht këtyre aftësive, Toni nuk dallohej për aftësitë teknike dhe taktike, por për lideridershipin e tij, aftësinë për të shfrytëzuar gjatësinë e tij në avantazhin e tij, prekjen e parë të topit dhe fizikun.[119][120][122] Saktësia e tij në gjuajtjet me kokë, fiziku dhe lufta në ajër bënë që ai të konsiderohej një nga gjuajtësit më të mirë me kokë të futbollit italian.[117][119][122]
Duke shkruar për The Guardian, Tom Mason ka thënë për lojën e tij: "Tërheqja e tij shënon fundin jo vetëm të një karriere të jashtëzakonshme, por të një brezi të tërë sulmuesish... ai duket të jetë një relike e një ideologjie të vjetëruar dhe të diskredituar. Në një botë ku sulmuesit janë vija e parë e mbrojtjes, ku presioni me intensitet të lartë dhe shpërthimet e mprehta të energjisë janë një parakusht për sulmuesit, duket se ka pak vend për lojtarë të tipit Luca Toni. I papajisur për një kundërsulm të shpejtë, që nuk ka gjasa t'i shqetësojë mbrojtësit në prapavijë, fusha e tij është zona prej 18 metrash dhe pak jashtë saj."[123] Në sezonin e fundit të karrierës së tij, Toni u përshkrua si "qendërsulmuesi i fundit i madh italian" nga gazeta sportive italiane La Gazzetta dello Sport.[86]
Gjatë karrierës së tij, Toni njihej për festimin e veçant të golave. Sa herë që shënonte, Toni vraponte duke rrotulluar dorën e djathtë afër veshit të tij, si për të thënë, "a e kuptoni se çfarë kam bërë?"[120]
Toni është i martuar me modelen italiane Marta Cecchetto.[124] Djali i tyre vdiq gjatë shtatëzanisë së Martës më 1 qershor 2012.[125] Vajza e tyre Bianca lindi në qershor 2013.[126] Më 30 qershor 2014, djali i tyre i dytë, Leonardo, lindi në Firence.
Në mars 2015, autoritetet gjermane paditën Tonin për 1.7 milion € taksa të papaguara ndaj Kishës Katolike.[127] Në atë korrik, Toni paditi ish këshilltarin e tij tatimor për të njëjtën shifër, duke pretenduar se ishte regjistruar pa dijeni paraprake si katolik romak në Gjermani dhe kështu i kishte paguar taksa Kishës në kundërshtim me bindjet e tij.[128] Në dhjetor, ai mori një pagesë 1.25 milion € pasi gjykata i dha të drejtë.[129]
Në vitin 2019, Toni deklaroi se bindjet e tij politike ishin të djathta dhe se ishte mbështetës i politikanit Matteo Salvini, të cilit i'u bashkua gjatë një mitingu politik në Modena.[130]
1234Paolo Menicucci (9 shtator 2005). "La mano di Toni sul Mondiale"[Toni's hand on the World Cup] (në italisht). UEFA. Arkivuar nga origjinali më 10 qershor 2016. Marrë më 9 maj 2016.
↑Alberto Polverosi (30 tetor 2014). "I rigoristi: anche Toni al comando"[Penalty takes: Toni is also in the lead] (në italisht). Il Corriere dello Sport. Arkivuar nga origjinali më 22 dhjetor 2015. Marrë më 14 qershor 2015.